Pyetje të shpeshta
Përgjigje të shkurtra për kondicionerët dhe punimet elektrike: montimi, mirëmbajtja, defektet dhe zgjedhja.
Të përgjithshme
Sa BTU më duhen për dhomën time?
Varet nga qyteti (sa i ftohtë është dimri dhe sa e nxehtë vera), sipërfaqja, lartësia e tavanit dhe sa mure të jashtme ka ambienti. Kalkulatori llogarit veçmas verën dhe dimrin dhe jep madhësinë që mbulon të dyja; ustai e konfirmon pasi sheh ambientin. Llogaritni BTU-të me kalkulatorin →
Pse më pikon kondicioneri brenda?
Shkaqet më të shpeshta janë tubi i kondensatës pa pjerrësi të mjaftueshme ose i bllokuar, filtrat shumë të ndotur ose njësia e montuar jo në nivel. Mos e lini pa kontroll: uji dëmton murin dhe pajisjet elektrike.
Sa shpesh duhet pastruar kondicioneri?
Filtrat e njësisë së brendshme mund t’i pastroni vetë çdo disa javë kur aparati punon shpesh. Pastrimi i plotë i baterive, ventilatorit dhe kondensatës bëhet nga ustai të paktën një herë në vit, mirë është para sezonit.
A ia vlen ngrohja me kondicioner në dimër?
Kondicionerët inverter ngrohin si pompë nxehtësie dhe zakonisht harxhojnë më pak energji se ngrohësit me rezistencë elektrike. Në zona shumë të ftohta ka rëndësi modeli dhe fuqia në temperatura të ulëta; ustai ju këshillon sipas rastit.
Montim split
A mund ta montoni aparatin që e kam blerë vetë?
Po, në shumicën e rasteve. Para montimit kontrollojmë që fuqia e aparatit t’i përshtatet ambientit dhe që të gjitha pjesët të jenë të plota.
Ku vendoset njësia e jashtme?
Në një vend me ajrim të mirë, të qëndrueshëm dhe të arritshëm për servis, sa më afër njësisë së brendshme. Pozicionin e zgjedhim bashkë para se të fillojë puna.
Montim multi-split
Multi-split apo disa split të veçantë?
Multi-split kërkon vetëm një njësi të jashtme dhe e mban fasadën të pastër. Disa split të veçantë janë më të pavarur: nëse njëri prishet, të tjerët punojnë. Ustai ju këshillon sipas ambienteve dhe buxhetit.
A mund të shtoj një kokë më vonë?
Vetëm nëse njësia e jashtme ka dalje dhe fuqi të lirë. Prandaj ia vlen ta planifikoni që në fillim, edhe nëse kokën e fundit e montoni më vonë.
Sisteme VRF/VRV
Çfarë e dallon VRF nga multi-split?
VRF mban shumë më tepër njësi të brendshme dhe linja më të gjata, dhe e rregullon fuqinë vazhdimisht sipas kërkesës. Është ndërtuar për ndërtesa të mëdha dhe punë të gjatë çdo ditë.
Diagnostikim dhe riparim
Çfarë të bëj kur shfaqet një kod gabimi?
Shënoni kodin dhe modelin e aparatit, fikeni nga siguresa për disa minuta dhe ndizeni sërish. Nëse kodi rishfaqet, na dërgoni një foto në WhatsApp.
A ia vlen riparimi i një aparati të vjetër?
Varet nga defekti dhe gjendja e aparatit. Pas diagnostikimit ju themi sinqerisht nëse ia vlen riparimi apo zëvendësimi.
Kontroll rrjedhjeje dhe rimbushje gazi
Sa shpesh duhet rimbushur gazi?
Në një sistem pa rrjedhje, kurrë. Nëse aparati ka nevojë për gaz çdo vit, ka një rrjedhje që duhet gjetur dhe riparuar.
Si e kuptoj që mungon gazi?
Shenjat më të shpeshta janë ajri jo mjaftueshëm i ftohtë, akulli në tubat e njësisë së jashtme dhe aparati që punon pa pushim. Diagnostikimi me matje e konfirmon.
Çmontim dhe zhvendosje
A mund të ripërdoren tubat e vjetër?
Ndonjëherë po, por shpesh linja e re ka gjatësi tjetër dhe lidhjet e vjetra janë të lodhura. Tubat e rinj janë zakonisht zgjidhja më e sigurt.
A humbet gazi gjatë zhvendosjes?
Jo, kur gazi mblidhet më parë në njësinë e jashtme. Mund të nevojitet vetëm shtesë kur linja e re është më e gjatë.
Instalime elektrike
Kur ia vlen të rinovohet instalimi elektrik?
Kur kabllot janë të vjetra, siguresat hidhen shpesh, prizat ngrohen ose shtëpia po rikonstruktohet. Rikonstruksioni është momenti më i mirë, sepse kabllot kalojnë në mur para suvasë.
A mund të punohet pa thyer gjithë muret?
Shpesh po: një pjesë e kabllove kalon nëpër tubacionet ekzistuese ose në kanalina të jashtme. Pasi e shohim instalimin, ju themi çfarë mund të ruhet dhe çfarë duhet ndërruar.
Paneli elektrik dhe siguresat
Çfarë është salvavita?
Është mbrojtja diferenciale: e ndërpret rrymën kur një pjesë e saj rrjedh drejt tokës, për shembull përmes një pajisjeje me defekt ose përmes trupit të njeriut. Është mbrojtja kryesore nga goditja elektrike.
Pse duhen etiketuar qarqet?
Që në një defekt ose riparim të dini menjëherë cilën siguresë të fikni, pa e lënë gjithë shtëpinë pa rrymë.
Priza, çelësa dhe ndriçim
A mund të shtoj priza pa thyer murin?
Po, me kanalina të jashtme që vendosen në mur pa thyerje. Nëse muri do të suvatohet ose lyhet, prizat mund të futen edhe brenda tij.
Sa priza mund të lidhen në një qark?
Varet nga pajisjet që do të përdoren, jo vetëm nga numri i prizave. Pajisjet me fuqi të madhe kanë nevojë për qark të vetin.
Defekte elektrike
Pse më hidhet siguresa?
Shkaqet kryesore janë shumë pajisje në të njëjtin qark, një qark i shkurtër ose një rrjedhje që e kap salvavita. Mos e ngrini siguresën vazhdimisht: shkëputni pajisjet dhe na kontaktoni.
Çfarë të bëj kur ndiej erë djegieje nga një prizë?
Fikni siguresën e atij qarku dhe mos e përdorni prizën. Era e djegies ose ngjyra e nxirë tregon mbinxehje, që duhet kontrolluar sa më shpejt.
Nuk e gjetët përgjigjen?
Na shkruani pyetjen në WhatsApp, edhe me një foto të aparatit.
